Gërmenj

Gërmenj

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Gërmenj”, Qarkun e Korçës, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Gërmenj”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 430 ha në 1 410 ha.

Ndodhet në kurrizin malor Kamenik-Mali i Vashës, në lartësitë nga rreth 1,000-2,043m, vazhdon përgjatë kufirit shtetëror dhe, duke u ulur, arrin deri tek Mali i Vashës. Veçohet nga pjesa jugore e malësisë nëpërmjet disa zgjerimeve të përzgjatura: Shelegurit, Sotirës dhe Gërmenjit.

Përbëhet nga magmatikë, ndërsa majat e thepisura nga gëlqerorë: e Kamenikut (2,043m), Koziakut (1,600m), Kabashit (1,651m), e Vashës (1,638m), në trajtën e horsteve, të diferencuara si rrjedhim i lëvizjeve me kahe dhe shpejtësi të ndryshme. Mali i Koziakut zotëron gjithë shpatin magmatik të Gërmenjit, në formën e një thepi të madh. Në juglindje, ky kurriz zhytet në flish. Është vend i thyer e malor, me ndërthurje interesante të luginave të thella, shpateve pak të pjerrëta dhe të thepisura, maja të larta mbi 2,000m, livadhe polifite dhe çeltira në pyll.

Është vend i pasur me burime të ftohta, që ia rritin vlerat shkencore, turistike e çlodhëse, dhe përbëjnë njëherazi burime të ardhurash ekonomike për popullsinë vendore. Takohen të gjitha zonat fitoklimatike, nga pyjet e shkurret mesdhetare deri në kullota malore mesdhetare. Mbulesa bimore e tij është mjaft e dendur dhe përbëhet nga halorë (Pishë e Bredh) dhe nga Ahishte të përziera.

Formacionet më interesante janë të Abies borisii-regis Matf. Me zhvillim të mirë janë formacionet pyjore të Pishës së zezë (Pinus nigra) dhe të Ahut (Fagus sylvatica), formacionet e rralla interesante të Alnus glutinosa-Salix sp, Populus nigra, me Lajthi (Corylus avellana). Në brendësi, gjenden ligatina me vlera peizazhore dhe floristike. Pyjet e Pishës, Ahut dhe të Bredhit, përfaqësojnë habitate të rëndësishme për gjitarët e mëdhenj, si Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Kaprolli (Capreolus capreolus) etj.

Ky park, i ndodhur përgjatë rrugës në skajin juglindor të vendit, përfaqëson një zonë interesante për biodiveristetin. Sidomos bimësia është e larmishme, e dominuar kryesisht nga Bredhi Maqedonisë (Abies borissi-regis), Pisha e zezë (Pinus nigra), dushqe gjetherënës (Quercus sp.), Lajthi (Coryllus avellana) dhe Livadhe.

Në këtë territor janë evidencuar: 6 tipe habitatesh natyror, 3 lloje, floristike të rëndësishme dhe 3 lloje, endemike. Flora është interesante, sidomos mbi shkëmbinj serpentinore (Cistus albanicus-endemike), (Festucopsis serpentini –subendemike), etj. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCNs, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 44 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 13 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM