Mali me gropa-Bize -Martanesh

Mali me Gropa – Bizë – Martanesh

Parku Natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Mali me Gropa – Bizë – Martanesh” nga “peizazh i mbrojtur” (kategoria V e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 25 266.4 ha në 26 043.34 ha.

Shtrihet në një sipërfaqe të madhe, për më tepër e bashkëngjitur me sipërfaqen e PK “Mali i Dajtit” dhe pranë Qafë Shtamës. Përfaqëson një masiv të madh malor, i cili përbëhet nga gëlqerorë të Trias-Jurasit, me trashësi shumë të madhe (mbi 1,000m) dhe tepër të copëtuar nga tektonika, flishi me shtrirje të kufizuar dhe magmatikë të llojit ultrabazik në lindje. Ndërpritet nga disa lugina, të pasura me përrenj, që shpesh përbëjnë fillesën e lumenjve të mëdhenj, siç ёshtё rasti i Lumit të Matit. Bien në sy disa male interesante si: Mali i Lopës (2,000m.), i Snoit të Madh (1,846m), si dhe i Malit me Gropa (mesatarisht 1,500-1,600m.), krejt i veçantë, falë gropave karstike të pranishme në të.

Njësia më interesante është Mali me Gropa, që përbën një masiv të madh malor, në formën e një kështjelle gjigante mbi territoret terrigjene. Gjatë zhvendosjes mbi një taban jo të sheshtë, kanë ndodhur çarje të shumta, që e përshkojnë bllokun gëlqeror kryq e tërthor. Mbulesa ka ndërtim ashkëlor të blloqeve të ndryshme të hedhur njëri mbi tjetrin.

Në perëndim, veri e jug mali rrethohet nga thepisje të mëdha gëlqerore, të formuara nga mbihipja e madhe dhe e evidencuar në disa raste nga erozioni i përrenjve, të zhvilluar në kontaktet litologjike midis gëlqerorëve dhe terrigjenëve.

Në lindje, kalimi, nga ultrabazikët e malësisë së Martaneshit, në gëlqerorët e Malit me Gropa, është më i butë, madje territoret ultrabazike, në disa sektorë, janë më të lartë se ata gëlqerore. Kreshta, 1,400-1,500m, është e valëzuar. Mbi të ngrihen disa maja të veçuara, si: Maja e Bastarit (1,740m), Micekut (1,824m), Snoit të Madh (1,846m), etj.

Në pjesën qendrore shtrihet lugina e përroit të Linosit (degë e Matit), e formuar në brezin flishor të vjetër.

Këto veçori të ndërtimit litologjik, strukturor dhe të morfologjisësë së relievit të tij, së bashku me sasinë e madhe të reshjeve, sidomos në formën e dëborës, përbën zhvillimin më klasik të karstit në vendin tonë. Mbizotërojnë gropat dhe hinkat me përmasa të ndryshme, që i kanë dhënë edhe emrin karakteristik “Mali me Gropa”. Kjo lidhet me lëvizjet e fuqishme ngritëse, që e përfshinë këtë masiv në kohën e formimit të këtyre gropave. Ngritjet si dhe rrethimi nga baza të ulëta erozive, intensifikuan karstin në thellësi, dhe për rrjedhojë, u ruajtën në sipërfaqe format karstike me përmasa fillestare, të cilat krijojnë peizazhe të papërsëritshme, që të kujtojnë shpesh hojet e bletëve. Karsti i Malit me Gropa, për vlerat e veçanta, është MN.

Gropa e Bizës, në skajin juglindor, është e gjatë 4km, e gjerë deri në 2km, shtrihet rreth 1,200m mbi rrafshin e detit. Fundi i saj është i sheshtë (në pjesën lindore), ndërsa në perëndim, ngrihen disa kodra të ulëta terrigjene. Është e vendosur në kontaktin litologjik e tektonik midis gëlqerorëve, magmatikëve dhe terrigjenëve. Në formimin e saj kanë ndikuar proceset erozive, që e kanë zgjeruar atë në flish dhe magmatikë, si dhe proceset karstike, që e zgjeruan gropën në drejtim të gëlqerorëve. Kjo gropë është erozive dhe karstike, por përmasat e mëdha dhe karakteri rrafshët, pjesa lindore, ndoshta, flasin për ndikimin edhe të fundosjes tektonike.

Gropën e Bizës e drenon lumi me të njëjtin emër, i cili hyn në brendësi të masivit gëlqeror, në një grykë të ngushtë. Pas një rruge të shkurtër sipërfaqësore, kthehet nga e djathta dhe humbet në brendësi të shpellës së madhe karstike të Ariut ose Valit. Uji i tij, sipas pohimeve të banorëve vendas, del poshtë fshatit Val dhe përfundon në Lumin Mat. Në vazhdim, lugina erozive krejt e thatë, ka evoluar nën veprimin e karstit, si pasojë e të cilit, në fundin e saj, janë formuar gropa dhe hinka të shumta.

Në këtë PN bëjnë pjesë edhe dy sektorë të tjerë, pjesa lindore e Malësisë së Martaneshit dhe pjesa veriore e Malësisë së Çermenikës.

E para, përbëhet nga ultrabazikë, ka peizazh dominues akullnajor. Dallohet për bimësi të dendur pyjore të Ahut, të përziera me Arnen e bardhë (Pinus peuce) dhe Bredhin e bardhë (Abies alba), më rrallë me Mështeknë (Betula alba), si dhe kullotat alpine.

E dyta, përbëhet nga flishi, ka reliev më të butë, por tepër të copëtuar. Mbizotërojnë peizazhet gërryese-zhveshëse, madje ka edhe vatra të shumta të erozionit, përrenj torrencialë, rrëshqitjet, rryma balte etj.

Bimësia është e pasur në lartësinë e kurrizeve, ndërsa në lugina e rrallë. Shtrirjen më të madhe e ka dushqet. Lartësitë janë të veshura me Ahishte, të përziera vende-vende me halorë.

Më të përhapura janë tokat e kafenjta karbonatike, tokat karbonato-humusore, por takohen edhe toka të murrme pyjore dhe livadhore malore.

Format karstike (shpellat, gropat, hinkat), burimet e shumta krijojnë habitate dhe nishe ekologjike të larmishme. Dallohen livadhet e zonës së Ahut dhe Alpine. Mbulimi i bimësisë në zonën e peizazhit është i pasur si pasojë e ndryshimeve në lartësi, tokave të pasura dhe lagështia e duhur në sezonin e verës. Bimësia dominuese në livadhe e kullota, më të larmishmet dhe interesantet, janë ato të Malit me Gropa, kryesisht nga Festuca bosniaca, Nardus stricta, Thymus cherlerioides etj. Po kështu, janë mjaft të pranishëm edhe pyje gjetherënës, kryesisht Ahishte e Dushkaja (në brezin e poshtëm). Flora ёshtё e larmishme dhe interesante, jo vetëm në sasi, por edhe në praninë e disa bimëve endemike, si: Carex markgrafii, Minuartia baldaccii. subsp. skutariensis, Sesleria robusta subsp. skanderbegii, Stachys albanica, apo edhe subendemike, si Campanula versicolor subsp. korabensis, Cistus albanicus, Colchicum macedonicum, Fritillaria macedonica, Viola macedonica.

Pyjet e ahut (Fagus sylvatica) shpesh formojnë grupime të pastra, por në disa raste mund të përzihen me halorë (Abies alba). Zakonisht këto pyje shtrihen në lartësitë 1,700-1,800 m. Flora karakterizohet nga një llojshmri e konsiderueshme e llojeve. Studimet dhe sondazhet në terren të ndërmarra identifikojnë që rreth 450 lloje ose 12% e florës së bimëve më të larta shqiptare gjenden brenda zonës.

Ndër llojet më tipike të identifikuar në këtë rajon përmenden: Achillea ageratifolia, Allium flavum, Anthyllis vulneraria, Arctostaphylos uva-ursi, Asplenium ruta-muraria, A. trichomanes, A. viride, Armeria alpina,. Carex kitaibeliana, Cystopteris fragilis, Ceterach officinarum, Cerastium alpinum, Campanula versicolor, Daphne blagayana, Draba aizoides, Juncus trifidus, Laserpitium siler, Saxifraga paniculata, Potentilla apennina, Dianthus petraeus, Festuca valesiaca, Melica ciliate, Poa alpina, P. nemoralis, Rosa spp. etj. Në llojet e rralla përmendim: Sempervivum heuffelii, Moltkia petraea, Viola grisebachiana.

Disa lloje rriten edhe në çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë si: Fraxinus ornus, Ostrya carpinifolia, Pinus nigra, shkurre Arctostaphylos uva-ursi, Cotinus coggygria, Juniperus communis etj.

Livadhet alpine gëlqerore janë shumë të larmishme, me lloje të bollshme endemike dhe të rralla.

Komunitetet bimore të kullotave dhe livadheve janë të vendosura në zonat më të ekspozuara të majave malore dhe të kushteve të vështira klimatike që i bëjnë këto zona të popullohen nga bimë shumëvjeçare si: Sesleria tenuifolia, Carex kitabeliana, Carex firma, Helianthemum alpestre, Aster alpinus, Edraianthus graminifioluus. Kullotat alpine dhe subalpine janë gjithashtu përbërës i rëndësishëm i diversitetit të peizazhit dhe një faktor të rëndësishëm për banorët e zonës, vizitorët dhe ekoturizmin.

Fauna është e pasur dhe e larmishme. Ndër jovertebrorët grupi më i bollshëm janë insektet, që popullojnë habitatet e peizazhit të mbrojtura. Lloje të rëndësishme të insekteve në zonë janë: Rosalia alpina, Cerambyx cerdo, Lucanus cervus, Osmoderma eremite, etj.

Inventari i grupeve të synuara faunistike ka treguar që rajoni përfaqëson një zonë të rëndësishëm si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Brenda rajonit janë raportuar 29 lloje gjitarësh, 134 lloje shpendësh, 15 lloje zvarranikësh dhe 12 lloje amfibësh.

Rajoni i Malit me Gropa-Bizë-Martanesh është shumë i pasur dhe relativisht i ruajtur. Amfibët dhe Zvarranikët janë të lidhur ngushtë me habitatet e ndryshme të rajonit. Llojet kryesore që hasen janë: Elaphe situla, Emys orbularis, Testudo hermanni, Triturus cristatus, Bombina variegata dhe Hyla arborea.

Shpendët përbëjnë një popullim të rëndësishëm, të pasur dhe të larmishme. Statusi i ruajtjes për shumicën e lloje është relativisht i mirë. Llojet kryesore dhe veçanërisht të mbrojtura janë: Bubo bubo, Aquila chrysaetos, Falco peregrinus, Dendrocopos leucotos, Alectoris graeca, Buteo rufinus, Accipiter nisus, Accipiter geinentis, Pernis apivorus, Neophron percnopterus, Circaetus gallicus, Falco columbarius, Perdix Perdix, etj.

Në grupe të ndryshme të gjitarëve janë të pranishëm në rajon si gjitarët e vegjël dhe mishngrënësit e mëdhenj. Llojet kryesore janë: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lynx lynx), Macja e egër (Felis sylvestris), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Lundërza (Lutra lutra) ,etj.

Rajoni funksionon si bërthamë dhe biokorridor i rëndësishëm për shumë lloje me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos për Ariun, Ujkun dhe Kaprollin.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e RNM/PN: “Mali me Gropa-Bizë- Martanesh” janë evidentuar: 10 tipe habitatesh natyror, 10 lloje, floristike të rëndësishme, 9 lloje, endemike dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Seriozisht të rrezikuar, 1 lloj, Të rrezikuar, 9 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 53 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 14 lloje, Jo në listën e IUCN-s. Rajoni konsiderohet si një vend me një potencial të madh ekoturistik. Ekoturizmi dhe turizmi kulturor janë faktorë të rëndësishëm të një zhvillimi të mundshëm të qëndrueshëm dhe rritje të mëtejshme të nivelit ekonomik për komunitetet lokale. Në të vërtetë zona ofron vlera natyrore, kulturore dhe historike. Në këtë rajon shtrihet krahina etnogjeografike e Shëngjergjit ose Tomadheja, që, së bashku me Bendën, përbën Malësinë e Tiranës. Qendër e saj është fshati Shëngjergj, me histori shumë interesante dhe të hershme. Ai dëshmohet si vendbanim mesjetar në qendër të zonës malore të mbrojtur nga male të larta, por që lidhet me rrugë të rëndësishme me Tiranën, Krujën, Matin, Dibrën dhe Elbasanin.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM